Kryeministri Albin Kurti do të takohet sot me kryetarin e Lidhja Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në kuadër të përpjekjeve për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri dhe për të shmangur zgjedhje të parakohshme.
Një ditë më parë, Kurti zhvilloi takim edhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ku u diskutua po ashtu çështja e presidentit.
Kreu i PDK-së nënvizoi se si subjekt opozitar, partia që ai drejton nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pengesë e proceseve shtetërore.
Megjithatë, ai bëri të ditur se PDK nuk do të mbështesë kandidatura që, sipas tij, nuk përfaqësojnë unitetin qytetar dhe frymën kushtetuese.
Kosova duhet të ketë president të ri më së largu deri më 4 mars, sipas ligjeve, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati në fillim të prillit. Kjo e fundit po e kërkon edhe një mandat të dytë pesëvjeçar.
Deri tani nuk është paraqitur apo përmendur ndonjë kandidat tjetër i mundshëm për president.
