Qeveria e Kosovës ka njoftuar për takimin që kryeministri Albin Kurti zhvilloi sot me kreun e PDK-së, Bedri Hamza.
Në njoftimin e Qeverisë thuhet se Kurti falënderoi kryetarin Hamza për bashkëpunimin në Kuvend me rastin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Kryetari Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar për çështje të interesit shtetëror e kombëtar.
Tutje në njoftim thuhet se u diskutua për zhvillimet politike në vend e më gjerë dhe nevojën për të hapur një kapitull të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë në të mirë të Republikës dhe pluralizmit partiak e demokratik.
“Natyrisht, temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”, thuhet në njoftim.
Tutje Qeveria bën tëditur se kryeministri Kurti nesër do të takojë Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kreu i PDK-së nënvizoi se si subjekt opozitar, partia që ai drejton nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pengesë e proceseve shtetërore.
Megjithatë, ai bëri të ditur se PDK nuk do të mbështesë kandidatura që, sipas tij, nuk përfaqësojnë unitetin qytetar dhe frymën kushtetuese.
