Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka shkruar për takimin me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke vlerësuar rolin e Kosovës në promovimin e paqes dhe stabilitetit.
Përmes një postimi në “X”, Rubio bëri të ditur se e ka falënderuar Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për përkushtimin e tyre ndaj paqes, duke theksuar angazhimin si anëtare themeluese e Bordit të Paqes.
“U takova me Presidenten Vjosa Osmani dhe e falënderova atë dhe popullin e Kosovës për përkushtimin e tyre ndaj paqes dhe stabilitetit, duke qenë anëtare themeluese e Bordit të Paqes,” ka shkruar Rubio.
Ai po ashtu ka falënderuar Presidenten Osmani për kontributin në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza, duke vlerësuar angazhimin e Kosovës në nismat ndërkombëtare për siguri dhe stabilitet.
Për takimin ka njoftuar edhe Presidentja Vjosa Osmani.
Osmani tha se me sekretarin amerikan të Shtetit ka diskutuar për mundësitë e forcimit të aleancës mes dy vendeve si dhe “hapat konkretë në këtë drejtim që kanë rëndësi jetike për popullin tonë”.
“Në veçanti, e falënderova për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, për mbështetjen vendimtare amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe për prezencën ushtarake amerikane në Kosovë si prezencë kyç për paqen e stabilitetin në rajon. Diskutuam për rëndësinë e madhe të anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit në ekonomi e mbrojtje, si pjesë e partneritetit tonë strategjik”, tha Osmani përmes një postimi në Facebook.
