Dy persona janë arrestuar në Prizren nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Fajde”.
Sipas detajeve të policisë, ata dyshohet se i kanë kërkuar kamatë mujore prej 100 për qind një burri.
Gjatë operacionit policor është kontrolluar shtëpia dhe objektet tjera përcjellëse të të dyshuarve në Prizren. Lidhur me këtë policia njofton se janë sekuestruar para të gatshme dhe prova të tjera materiale.
Policia bën të ditur se të dyshuarit, në bashkëpunim, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kanë kontraktuar një shumë dukshëm jo proporcionale në këmbim të dhënies së borxhit, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës dhe duke e ngarkuar me kamatë mujore shumë të lartë, prej 100%.
Pas arrestimit, të dyshuarit F.B., mashkull 32-vjeçar, dhe L.G., mashkull 22-vjeçar, nga Prizreni, janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës.
Me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prizren, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Të dyshuarit janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Stacionin Policor në Prizren.
Hetuesit, në bashkërendim me prokurorin e shtetit, po punojnë intensivisht në mbledhjen e provave dhe dëshmive lidhur me këtë rast.
