Kosovë Lajme

Sot mbahet takimi inaugurues i Bordit të Paqes në Washington, merr pjesë edhe presidentja Osmani

Sot në Washington pritet të mbahet takimi Inaugurues të Bordit të Paqes.

Në këtë strukturë të re marrin pjesë 26 vende, mes të cilave Shqipëria dhe Kosova kanë konfirmuar praninë e tyre.

Shqipëria ratifikoi aderimin me 110 vota pro në Kuvend, pas ftesës së Edi Ramës nga Donald Trump, ndërsa presidentja e vendit Vjosa Osmani përfaqësoi Kosovën në Davos, ku nënshkroi dokumentin themelues.

Presidentja Osmani e ka vlerësuar përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, si vend anëtar dhe bashkëthemelues, si një nga zhvillimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit në vitet e fundit, duke theksuar se ky hap e fuqizon drejtpërdrejt subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar të punojë ngushtë me aleatin tonë kryesor, SHBA-të, dhe me Bordin e Paqes për të sjellë rezultate konkrete, për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajonet e prekura nga konfliktet dhe për të promovuar një të ardhme të bazuar në bashkëpunim, siguri dhe prosperitet të përbashkët”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Ky takim shënon mbledhjen e parë zyrtare pas asaj themeluese që u mbajt gjatë Samitit të Davosit më 20 janar 2026. Bordi, i drejtuar personalisht nga Donald Trump, synon të marrë në dorë qeverisjen e përkohshme të Gazës, por ambiciet e tij shkojnë më tej. Trump ka deklaruar se ky mekanizëm do të zgjerohet për të trajtuar konfliktet globale.