Kosovë Lajme

PDK: Presim nga Specialja vendim të drejtë, të paanshëm dhe të bazuar ekskluzivisht në fakte dhe prova për ish-krerët e UÇK’së

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se pret që Gjykata Speciale të nxjerrë vendim “të drejtë, të paanshëm dhe të bazuar ekskluzivisht në fakte dhe prova, larg çdo narrative apo perceptimi politik”, për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjykimi i të cilëve u përmbyllë dje në Hagë.

Katërshja e UÇK’së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, dhanë dje deklaratat përmbyllëse, ku u deklaruan të pafajshëm.

“Në këtë fazë vendimtare, Partia Demokratike e Kosovës shpreh pritjen dhe kërkesën e saj që vendimi të jetë i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar ekskluzivisht në fakte dhe prova, larg çdo narrative apo perceptimi politik. Lufta e popullit të Kosovës për liri ishte një luftë e drejtë, çlirimtare dhe e domosdoshme për mbijetesë përballë një regjimi shtypës. Kjo është një e vërtetë historike e njohur nga qytetarët tanë dhe e konfirmuar nga rrjedha e zhvillimeve ndërkombëtare që çuan në ndërhyrjen e NATO-s dhe në shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, thuhet në deklaratën e PDK’së.

PDK ka thënë se pret që vendimi do të konfirmojë lirimin e plotë nga të gjitha pikat e aktakuzës.

“Ne besojmë në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe presim që, pa zvarritje dhe mbi bazën ekskluzive të fakteve e provave, të merret një vendim i drejtë dhe i paanshëm, i cili do të konfirmojë lirimin e plotë nga të gjitha pikat e aktakuzës. Partia Demokratike e Kosovës rithekson solidaritetin me familjet e ish-krerëve të UÇK-së, falënderon të gjithë qytetarët për mbështetjen e madhe të dëshmuar përmes marshimeve dhe protestave, si dhe shpreh mirënjohje për profesionalizmin dhe hapësirën e ofruar nga mediat gjatë gjithë kësaj periudhe”, thuhet në deklaratë.

ZPS ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin. Tani, çështja është në dorë të trupit gjykues, që ka tre muaj kohë për shpalljen e aktgjykimit, ndonëse mund të kërkoj edhe zgjatje të afatit për marrjen e vendimit.