Kancelari gjerman, Friedrich Merz, Merz ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për rizgjedhjen e tij në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Merz në telegramin e urimit ia ka vënë në pah Kurtit detyrat sfiduese që e presin në qeverinë e re. Ai ka përmendur nevojën për përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
Kancelari gjerman ka shprehur bindje se Qeveria e Kosovës do të marrë vendimet e duhura për integrimin e mëtejshëm euroatlantik të Kosovës.
Në fund ai e ka siguruar në mbështetjen e Gjermanisë, përcjell gazeta online Reporteri.net.
“Detyra sfiduese ju presin ju dhe qeverinë tuaj. Jam i bindur se me përvojën tuaj do të merrni vendimet e duhura dhe të nevojshme për integrimin e mëtejshëm euroatlantik të Kosovës. Kjo përfshin edhe përparim të mëtejshëm në dialogun e normalizimit me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Ju lutem të jeni të sigurt se Kosova ka një partner të fortë dhe të besueshëm në Gjermani në këto përpjekje. Ju uroj fat të mbarë dhe sukses në mandatin tuaj të vazhdueshëm”, thuhet në letrën e Merzit për Kurtin. /Reporteri.net
