Kosovë Lajme

Thaçi: Vazhdoj të kritikohem pse e mbështetëm themelimin e Speciales- uroj që koha ta dëshmojë që unë kisha të drejtë, e kritikët gabim

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur fjalimin përmbyllës para trupit gjykues në Hagë, duke deklaruar se është plotësisht i pafajshëm.

Thaçi tha se kur në Kuvendin e Kosovës, votuan për themelimin e kësaj gjykate, besuan se ajo do t’i trajtonte akuzat në raportin e Dick Martyt dhe do të vepronte në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës.

Thaçi tha se është kritikuar shumë dhe vazhdon të kritikohet për mbështetjen për themelimin e Speciales, por shtoi se në atë kohë nuk ka besuar se synimi do të jetë “kriminalizimi i luftës sonë për liri”, siç thoshin kritikët.

“Kur votuam në Parlamentin e Kosovës për të themeluar këtë gjykatë, ne besuam se do ti trajtonte akuzat në raportin e Dick Martyt dhe do të vepronte në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës. Në praktikë asnjëra e as tjetra nuk ndodhi. Unë jam kritikuar shumë dhe kritikohem ende në Kosovës pse e mbështetëm themelimin e kësaj gjykate. Kritikët thonë se kjo gjykatë synon kriminalizimin  e luftës sonë për liri, dhe idenë e pavarësisë. Këtë nuk e kam besuar në atë kohë kur e votuam, por uroj sinqerisht që koha të dëshmojë që unë kisha të drejtë e kritikët gabim. Kjo prokurori në vend se t’ia heqë renë e zezë Kosovës kërkon t’ia zë diellin me një re të zezë, të ashtuquajturën ndërmarrje e përbashkët kriminale”, tha Thaçi në fjalën e  tij.