Kosovë Lajme

Selimi: Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në një sallë gjyqi, UÇK-ja ishte çlirimtare e armët i kishim për mbijetesë

Ish-udhëheqësi i UÇK-së, Rexhep Selimi, në fjalën e tij përfundimtare para trupit gjykues në Hagë ka thënë se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në një sallë gjyqi.

Selimi ka deklaruar se UÇK-ja nuk është krijuar nga dëshira por nga nevoja dhe se armët për ta ishin mbijetesë.

Ai tha se në Kosovë nuk ka pasur kurrë asnjë parti politike shqiptare që ishte kundër pavarësisë dhe rrjedhimisht asnjë që e mbështeste një autonomi nën Serbi, përcjell gazeta online Reporteri.net.

“Kanë kaluar më shumë se pesë vite nga fillimi i këtij procesi gjyqësor. Këto pesë vite nuk kanë qenë të lehta, po as të parëndësishme për historinë e vendit tim. Unë nuk jam ngritur sot këtu ta mbroj veten time, sepse këtë dinë më së miri dhe e kanë bërë avokatët e mi. Por, nuk jam këtu as për të ju treguar juve  drejtësinë sepse ju e dini më mirë se çdokush atë. Unë sot jam këtu për të ju kërkuar juve ta ushtoni atë. Edhe pse kanë kaluar gati tre vite, Prokuroria vazhdon të mbështetet në pretendime që nuk kanë bazë me të vërtetën dhe në një përpjekje të vazhdueshme për të njollosur një luftë që në thelb ishte çlirimtare.

Problematike është përpjekja e Prokurorisë për ta ndarë shoqërinë kosovare në dysh: në ata që ishin për pavarësi dhe në ata që ishin për autonomi, sikur të donte që me çdo kusht të krijonte përçarje mes shoqërisë së Kosovës.

Në Kosovë nuk ka pasur kurrë asnjë parti politike shqiptare që ishte kundër pavarësisë dhe rrjedhimisht asnjë që e mbështeste një autonomi nën Serbi.

Lufta çlirimtare nuk mund të barazohet me shtetin vrasës të Serbisë.  Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, aq më tepër me një sallë gjyqi. Atë e kanë shkruar me sakrificë qytetarët e saj, ata që luftuan për të.

“Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Në këtë sallë gjyqi dëgjuam dëshminë e gjeneralit Clark, i cili gjatë një takimi që kishte pasur me Millosheviqin, ai ia kishte deklaruar hapur qëllimet e tij. Serbia kurrë nuk e fshihte qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Prandaj pyes sërish: Çfarë duhet të bënim ne? Të prisnim radhën për t’u vrarë, apo të iknim nga shtëpitë tona? As njërën dhe as tjetrën. Prandaj duhej të rezistonim.  Prandaj unë ju bashkova Adem Jasharit. UÇK-ja nuk ishte aventurë, ishte mbijetesë që u krijua nga nevoja. UÇK ishte ushtri çlirimtare. Po, kam bartur armë, armët për ne ishin mbijetesë. Shumica e bashkëluftëtarëve të mi kanë vdekur duke i siguruar ato.

Edhe nëse lufta nuk do të ndalej më 1999 dhe do të vazhdonte deri më sot, unë ende do të isha ushtar i vendit tim”, ka thënë ai.