Oda Ekonomike Shqiptare ka formalizuar një bashkëpunim strategjik me Oda Ekonomike Kosovaro-Britanike me seli në Londër, duke shënuar një hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar.
Marrëveshja vendos dy objektiva të qarta dhe ambicioze: rritjen dhe diversifikimin e eksportit të produkteve vendore drejt tregut britanik, si dhe nxitjen e investimeve të huaja direkte nga Britania e Madhe në Kosovë dhe Shqipëri.
Në qendër të këtij angazhimi është ndërtimi i një platforme të qëndrueshme për promovimin sistematik të produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare, duke krijuar ura të drejtpërdrejta mes prodhuesve vendorë dhe partnerëve britanikë. Qëllimi është i qartë: bizneset kosovare të mos mbeten vetëm eksportues sporadikë, por të pozicionohen në mënyrë konkurruese dhe afatgjatë në një nga tregjet më të zhvilluara në Evropë.
Raporti i përbashkët i hartuar nga të dyja odat reflekton një vizion të unifikuar për rritjen e shkëmbimeve tregtare, krijimin e partneriteteve strategjike dhe hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit ekonomik.
Interesimi i komunitetit të biznesit tashmë është në rritje. Një numër i konsiderueshëm kompanish kosovare kanë shprehur gatishmëri dhe kapacitete të konsoliduara për eksport në tregun britanik, duke dëshmuar se ekonomia vendore ka potencial real për integrim të plotë në tregjet ndërkombëtare.
Oda Ekonomike Shqiptare ka konfirmuar se do të ofrojë mbështetje aktive për bizneset përmes asistencës profesionale, rrjetëzimit institucional dhe krijimit të mundësive konkrete për zgjerim. Ky bashkëpunim nuk është thjesht një dokument formal, por një platformë veprimi që synon ta shndërrojë eksportin dhe investimin në histori suksesi për ekonominë shqiptare.
