Mbrojtja e ish-Presidentit Hashim Thaçi po vazhdon me deklaratën përmbyllëse në gjykimin në Hagë. Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, ka folur edhe për bojkotimin e LDK’së për t’u bërë pjesë e qeverisë së përkohshme.
Mishetiq ka thënë se arsyeja pse LDK nuk u bë pjesë e asaj qeverie ishte sepse nuk donte ndarjen në mënyrë të njëjtë të vendeve brenda qeverisë dhe jo abuzimi i pretenduar, shkruan Reporteri.net.
Sipas tij, ZPS nuk citon asnjë provë se bojkotimi erdhi për shkak të trajtimit të pretenduar nga Thaçi ose dikush tjetër.
“Tani të flasim pak për bojkotimin e LDK’së. ZPS nuk citon asnjë provë që LDK’ja bojkotoi Qeverinë e përkohshme për shkak keqtrajtimit të pretenduar prej z.Thaçi ose ndokujt tjetër. Përkundrazi, ju keni prova të asaj kohe që LDK’ja ka bojkotuar Qeverinë e përkohshme sepse nuk dëshironte që të ndante njësoj vendet brenda qeverisë së përkohshme.
Gjithashtu LDK kishte Qeverinë e vetë paralele në të njëjtën kohë që ka funksionuar Qeveria e përkohshme dhe në fakt ka refuzuar që të tërhiqet prej qeverisë së saj paralele deri në shkurt të vitit 2000…Kjo është arsyeja kryesore pse nuk iu bashkua qeverisë së përkohshme LDK’ja jo abuzimi i pretenduar”, ka deklaruar Mishetiq.
Ai ka vazhduar duke thënë se Thaçi ka qenë gjithëpërfshirës dhe se i ka bërë thirrje LDK’së në 15 raste që të bëhej pjesë e Qeverisë.
“z.Thaci në të vërtetë ka qenë gjithpërfshirës…ne i kemi cituar të paktën 15 raste të ndryshme ku z.Thaci i kishte bërë thirrje LDK’së që të bëhej pjesë e Qeverisë. Ndërkohë, që në kundërpërgjigjet e veta ZPS të hënën ju referua vetëm njërës prej këtyre thirrjeve”, ka thënë Mishetiq.
