Kosovë Lajme

Mediumi izaelit: Izraeli konfirmon se Kosova do të bashkohet me Forcën Ndërkombëtare për Gazën

Kosova do të marrë pjesë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën (ISF), një mision shumëkombësh i krijuar për të mbikëqyrur dhe zbatuar armëpushimin në Rripin e Gazës.

Sipas raportimeve të mediave izraelite, Izraeli ka konfirmuar se Kosova bashkë me Kazakistanin do t’i bashkohen Marokut, Indonezisë, Greqisë dhe Shqipërisë në këtë mision, i cili pritet të jetë funksional deri në muajin maj.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë mision vjen si vazhdimësi e angazhimeve ndërkombëtare për paqe dhe stabilitet, duke përfshirë edhe rolin e saj në Bordin e Paqes, një nismë globale e presidentit amerikan Donald Trump për zgjidhjen e konflikteve, ku Kosova është një prej shteteve anëtare themeluese.

Kontributi i FSK-së dhe roli i Kosovës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar më herët se Kosova dëshiron të kontribuojë për paqe kudo ku ka nevojë.

Kurti ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës në të është vazhdimësi e kontributit të Kosovës për Gazën, duke nisur me pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përkatësisht me gjeneral-lejtnant komandantin, Bashkim Jashari.

“FSK-ja është e mirënjohur tashmë për kërkim-shpëtim dhe për deminim, por jo vetëm”.

Kurti i është referuar pjesëmarrjes së FSK-së në një konferencë të organizuar në dhjetor të vitit 2025 në Doha të Katarit nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara për të diskutuar për Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese.

“Prandaj kemi qenë të interesuar të marrim pjesë edhe në organet vendimmarrëse politike”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Edhe Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK)  kanë deklaruar se janë në proces të shqyrtimit të formës dhe kapaciteteve që mund të ofrojnë në këtë forcë paqeruajtëse.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar  se pjesëmarrja e Kosovës në ISF vjen pas një konference informuese në Doha, Katar, në dhjetor 2025, të organizuar nga Komanda Qendrore e SHBA-së.

Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, ka marrë pjesë në këtë samit përgatitor, me miratimin e kryeministrit Kurti, në kuadër të gatishmërisë së Kosovës për të kontribuar në paqe dhe stabilitet.

Çfarë është Forca Ndërkombëtare Stabilizuese?

Forca shumëkombëshe ISF buron nga plani 20-pikësh i presidentit Trump për paqe në Gazë, i pranuar nga Izraeli dhe Hamasi në tetor 2025. Misioni ka mandat nga Kombe të Bashkuara dhe synon të ofrojë siguri dhe mbikëqyrje të armëpushimit në Rripin e Gazës. Komandanti i forcës është emëruar gjeneralmajori amerikan Jasper Jeffer, komandant i operacioneve speciale.

Pjesëmarrja e Kosovës lidhet me përvojën e saj historike si përfitues i ndërhyrjeve ndërkombëtare për paqe, përfshirë misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR) pas luftës në 1999. Kosova, që është në proces të transformimit të FSK-së në ushtri, ka rritur buxhetin për mbrojtje dhe e ka pajisur forcën me armatime të reja nga SHBA-ja dhe vende të tjera, përfshirë Turqinë.

Ligji për misionet jashtë vendit

Dërgimi i FSK-së në misione jashtë vendit bëhet në përputhje me Ligjin për dërgimin e forcës jashtë vendit. Vendimi merret nga Qeveria, miratohet nga Kuvendi dhe autorizohet nga Presidenti. Ligji parasheh stërvitje për pjesëtarët, mbulim financiar nga buxheti i shtetit ose organizatat ndërkombëtare, si dhe rregulla për tërheqjen e FSK-së nga misioni në çdo kohë, nëse vlerësohet se janë të rrezikuara interesat e Kosovës.

FSK-ja ka marrë pjesë më herët në misione jashtë vendit, përfshirë Kuvajtin në 2021 dhe Ishujt Falklands në 2022, si dhe në operacione humanitare dhe trajnime ndërkombëtare, siç ishte kërkimi i një personi në Shqipëri në janar 2026 dhe stërvitjet në Belize në dhjetor 2025.