Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë takimit, Ambasadori Guérot e uroi Kryeministrin Kurti për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe për mandatin e ri qeverisës, duke vlerësuar mundësinë e hapjes së një kapitulli të ri në marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Francës.
Sipas njoftimit të ZKM-së, Kryeministri Kurti shprehu angazhimin e qeverisë së re për investime strategjike, përkushtim ndaj paqes dhe sigurisë, si dhe për integrim në strukturat euro-atlantike.
Ai gjithashtu e falënderoi ambasadorin Guérot për urimet, bashkëpunimin e deritanishëm dhe mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës, duke riafirmuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy shteteve.
