Lajme Shqipëri

Ftesa e Trump për Bordin e Paqes, Edi Rama niset drejt Washingtonit

Kryeministri Edi Rama është nisur sot drejt Washingtonit, në përgjigje të ftesës së Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump për të marrë pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes. Ceremonia e themelimit të bordit do të zhvillohet më 19 shkurt në Institutin për Paqe të Trumpit në Washington. Kujtojmë që Shqipëria mungoi në takimin e parë të Trump me vendet anëtare, ndërkohë që Kosova u përfaqësua nga Presidentja Osmani.

Kryeministria në një njoftim në lidhje me aktivitetin bën me dije se:

“Pak ditë më parë, kur njoftoi pjesëmarrjen në këtë ngjarje, Kryeministri Rama u shpreh se “Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por kontribuon me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht dhe të ftohet, deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes.

Bordi i Paqes i iniciuar nga Presidenti i SHBA-ve, Trump synon forcimin e Paqes në Lindjen e Mesme dhe, njëkohësisht, të ndërmarrjes së një qasje të re të guximshme për zgjidhjen e Konfliktit Global”.

Bordi i Paqes i ka 27 anëtarë, mes të cilave edhe Shqipëria e Kosova. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka autorizuar këtë trup që të mbikëqyrë zbatimin e armëpushimit në Gazë dhe të angazhohet në aspektin e qeverisjes dhe rindërtimit.