Një operacion i madh kërkim-shpëtimi u zhvilluar në Kaliforni të martën dhe po vazhdon edhe këtë të mërkurë për të gjetur 10 skiatorë të zhdukur pasi një ortek dëbore i mbuloi, njoftuan autoritetet.
Orteku u regjistrua dje në mëngjes në Castle Peak, një majë mali në vargmalin Sierra Nevada, në pjesën veriore të Kalifornis, e cili është goditur nga stuhitë ditët e fundit.
Një grup prej 16 skiatorësh, përfshirë katër udhërrëfyes, u rrëmbyen nga orteku, sipas zyrës së sherifit të Qarkut të Nevadës.
“Të paktën gjashtë skiatorë mbijetuan dhe janë ende në vendngjarje, duke pritur shpëtimin, ndërsa 10 të tjerët janë të zhdukur”, tha ai.
“Operacionet e shpëtimit vazhdojnë me 46 ekipe emergjente, por kushtet e motit vazhdojnë të jenë jashtëzakonisht të rrezikshme”, vazhdoi zyra e sherifit.
Një paralajmërim emergjent për ortek është në fuqi për t’i njoftuar skiatorët se ekziston një rrezik i lartë deri sonte.
Nëse të 10 skiatorët e zhdukur humbasin jetën, incidenti do të renditej ndër ortekët më vdekjeprurës të regjistruar ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara. Qendra e Informacionit për Ortekët e Kolorados ka regjistruar gjashtë vdekje nga orteqet në SHBA deri më tani këtë sezon.
