Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, deklaroi se të hënën ZPS-ja e përmendi Veselin vetëm në fund, kur Prokurori Matthew Howling iu rikthye, sipas tij, “trillimit të ZPS-së” për ta përfshirë atë. Ai tha se ZPS nuk dha asnjë përgjigje ndaj argumenteve të mbrojtjes dhe se akuzat ndaj Veselit mbeten, sipas tij, të pabaza.
Dixon shtoi se gjykata nuk mund të shpallë fajësi duke u mbështetur vetëm në prova të patestuara apo thashetheme.
“Të hënën ZPS e përmendi pak Veselin deri në momentin kur nga fundi z. Matthew Howling ju rikthye edhe një herë trillimit të ZPS-së për një përpjekje të fundit për të përfshirë z.Veseli. Sipas nesh deri në këto momente nuk u tha asgjë, madje edhe kur thanë, thanë fjalë boshe, asgjë deri në fund të fjalës së ZPS-së sepse nuk kanë asnjë përgjigje për akuzat që ngritëm ne sa i përket argumenteve të tyre kundër Veselit. Ata pretendojnë se ne nuk kemi trajtuar themelësinë e akuzave të ZPS-së. Është akuzë e rëndë kjo prej ZPS-së, sepse ajo që bëra javën e kaluar ishte të trajtoja çdo pretendim të tyre një nga një, për të treguar se janë të pabaza”.
“Kjo nuk është mbrojtje teknike nga ana jonë, mbrojtja mbështetet në të drejtat më themelore që duhet të jenë në çdo gjykim penal. E thënë shkurt të testohet provat kundër të akuzuarit, të kundërpyeten dëshmitarët. ZPS-ja po perpiqet të shfrytzojë fillin e artë të së drejtës penale për të lidhur klientin tim. Ky parim ligjor është i padiskuetushem. Gjykata s’mund të shpall fajësinë për një person, qoftë kjo për pjesëmarrje të drejtperdrejtë, nëse kjo shpallje fajësie do të mbështetet vetëm në prova të patestuara dhe mbi thashetheme”, tha Dixon mes tjerash në deklaratën përmbyllëse.
