Kosovë Lajme

Avokati i Thaçit iu kundërvihet përsëri Prokurorisë: Premtuan spektakël por nuk dhuruan asgjë, thjeshtë pretendime pa fakte

Lluka Mishetiq, avokat mbrojtës i Hashim Thaçit, ka kundërshtuar përsëri Zyrën e Prokurorit Special lidhur me akuzat e tyre ndaj Thaçit dhe krerëvë tjerë të UÇK-së.

Sipas Mishetiq, Prokuroria edhe në fjalën e tyre përfundimtare nuk ka arritur ta vërtetojë asnjë pretendim.

Mishetiq ka thënë se Prokuroria kishte premtuar “spektakël”, mirëpo edhe njëherë tjetër sipas tij, pretendimet e Prokurorisë nuk ishin asgjë.

“Prokuroria premton spektakël, por nuk dhuroi asgjë. As nuk tregoi se çka bëri ose çfarë hapa konkrete mori Hashim Thaçi për të bazuar pretendimet e tyre. Në përgjigjet e tyre nuk kishte asgjë thjeshtë pretendime të pabazuara në fakte”, ka thënë Mishetiq në fjalën e tij.

Avokati kroat theksoi se ZPS-ja ka fshehur provat e tyre duke mos i deklaruar ato deri në dosjen përfundimtare, për shkak se sipas Mishetiq, Prokuroria ka qenë e vetëdijshme se me ato prova nuk mund të vërtetohet asgjë.

“Mënyra e paraqitjes së provave duke fshehur provat e tyre deri në dosjen përfundimtare, duke e ditur se pala e kundërt do t’i hedh poshtë ato prova. ZPS në kundërpërgjigje e tyre tani po ndryshon paraqitjen e provave duke u munduar të mbush boshëlloqet. Fakti se ZPS nuk ka përmendur asnjë prej takimeve të Shtabit të Përgjithshëm më parë është një formë pranimi se këto takime nuk i ndihmojnë ata në çështjen e tyre”, ka thënë Mishetiq.