Policia e Kosovës ka njoftuar se gjetur armë, municion, granata dore dhe mjete të tjera ilegale në tri raste të ndara në veri të vendit.
Në rastin e parë, njësitë policore kanë kryer kontroll në një shtëpi të pabanuar në fshatin Jagnjenic të Zubin Potokut, ku kanë gjetur dhe sekuestruar: 95 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një emblemë si dhe disa spaleta të Policisë së Serbisë.
Rasti tjetër ka ndodhur në Zveçan, ku rreth orës 09:20, njësitë policore gjatë kontrollit në një hambar të një shtëpie të braktisur në fshatin Zhitkovc, Komuna e Zveçanit, kanë gjetur dhe sekuestruar: 1 armë AK-47; 1 granatë dore M-57, prodhim jugosllav; 3 karikatorë të zbrazët të AK-47; 85 fishekë të kalibrit 7.9 mm; 2 uniforma ushtarake me emblema të Serbisë dhe 60 fishekë të armës AK-47.
Rreth orës 12:20, njësitë policore kanë kryer kontroll tjetër në një shtëpi të pabanuar në fshatin Varage të Zubin Potokut, ku si rezultat kanë gjetur dhe sekuestruar: 1 granat dore dhe 50 fishekë të kalibrit 7.62 mm.
“Në vendin e ngjarjes, në rastin II dhe III, kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (EOD), të cilat kanë tërhequr mjetet eksplozive në mënyrë të kontrolluar. Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve””, thuhet në njoftim.
Lidhur me këto raste, nuk ka persona të arrestuar.
“Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që të vazhdojnë të ndajnë informacione që ndihmojnë policinë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Çdo informacion mund të raportohet në numrin 192”, përfundon njoftimi.
