Kosovë Lajme Politikë

Osmani: Nuk pranojmë kurrë asnjë narrativë që barazon agresorin me viktimën

Kuvendi i Kosovës është mbledhur në seancë solemne për nder të 18 vjetorit të pavarësisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalën e saj përmendi ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë, duke thënë se çdo përpjekje për ta barazuar luftën tonë çlirimtare me krimet gjenocidale të Serbisë, jo vetëm që e minon drejtësinë por dëmton rëndë edhe themelet e paqes afatgjatë në rajonin tonë.

“Krerët e UÇK-së që sot gjenden në Hagë së bashku me mijëra luftëtarë të tjerë u ngritën për liri, dinjitet dhe për të drejtën për të jetuar të lirë në atdheun e tyre. Prandaj çdo përpjekje për ta barazuar luftën tonë çlirimtare me krimet gjenocidale të Serbisë, jo vetëm që e minon drejtësinë por dëmton rëndë edhe themelet e paqes afatgjatë në rajonin tonë.

Populli i Kosovës sakrifikoi gjithçka, madje edhe fëmijët në djep që ne ta gëzojmë lirinë. Prandaj, nuk do ta pranojmë asnjëherë në Kosovë e kudo në botë ndonjë narrativë që barazon agresorin me viktimën, pushtuesin me të pushtuarin e krimin me rezistencën për liri.

Në këtë përvjetor dua ti falënderoj aleatët tanë që i ndërtuam me vizionin e presidentit historik, Ibrahim Rugova. Sot pas 18 vitesh shtetësi, përgjegjësie jonë e përbashkët është që idealin për të cilin u flijuan dëshmorët ta vazhdojmë. Le ta ruajmë Kosovën si amanet dhe ta ruajmë lirinë si vlerën më të shtrenjtë dhe ta ndërtojmë shtetin si shtëpi të përbashkët për të gjithë brezat që vijnë pas nesh”, tha Osmani në fjalën e saj.