Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij në seancën solemne për 18 vjetorin e pavarësisë ka përmendur ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë.
Kurti tha se ish-krerët e UÇK-së po akuzohen padrejtësisht sepse guxuan të marrin armët për liri kundër regjimit gjenocidal.
“Dita e sotme është ditë përkujtimi për të gjithë ata që flijuan gjithçka për Republikën e Kosovës. Republika në radhë të parë është institucion i lirisë, shprehje e sovranitetit, mjet për zhvillim. Kur vjen fjala a te Republika e sovraniteti, ne nuk lëshojmë pe sepse nuk bëjmë dot kompromis me lirinë dhe zhvillimin.
Ne kujtojmë sot Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përkulemi me nderim para dëshmorëve dhe përpiqemi që ta lartësojmë republikën tonë edhe në emrin e tyre. Ndërsa kujtojmë datën e sotme, brengosemi që krerët e UÇK-së, dhe Republikës së Kosovës po akuzohen padrejtësisht sepse ata guxuan të marrin armët për liri kundër shtypjes shekullore dhe kundër një regjimi gjenocidal. Akuza e Prokurorisë Speciale në Hagë për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë, ato nuk morën parasysh kontekstin historik e politik të luftës sonë çlirimtare, të cilës ja detyrojmë lirinë e sotme. Krime kundër njerëzimit ndaj popullatës shqiptare ka kryer Serbia e Millosheviqit. Kërcënim për kryerjen e tyre është sot Serbia e Vuçiqit. Barazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm për ne”, tha Kurti në fjalën e tij.
