Krerët e vendit kanë filluar aktivitetet shtetërore për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Pas ngritjes së Flamurit të Republikës së Kosovës, ata thanë se sot përpos festës, përkujtohen ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë e Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani ka uruar qytetarët në Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Pas ngritjes solemne të flamurit të vendit, Osmani tha se sot qytetarët bashkohen për të festuar dhe për të përkujtuar të gjithë ata që dhanë gjithçka për Kosovën.
“I uroj të gjithë qytetarët e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë së shtetit tonë sovran e të pavarur. Është një ditë ku të gjithë bëhemi bashkë në radhë të parë për të festuar këtë përvjetor të shtetit tonë të ri, i cili tashmë po hyn në moshë të pjekurisë dhe në të njëjtën kohë bëhemi bashkë për të përkujtuar të gjithë ata që sakrifikuan gjithçka në mënyrë që ne sot ta gëzojmë shtetin”, tha e para e vendit.
“Rrnoftë Republika e Kosovës”, përfundoi Osmani fjalimin.
Kryeministri Albin Kurti tha se sot festohet, por njëkohësisht edhe nderohet rezistenca paqësore, kryengritjet e armatosura, të cilat, siç tha ai, kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kosova po rritet, po rritet numri i viteve të Pavarësisë, po rritet numri i njohjeve të shtetësisë, po rritet ekonomia e vendit, po rritet mirëqenia e qytetarëve, po rritet fuqia e shtetit. Para 18 vjetëve lindi Pavarësia e Republikës së Kosovës, por lindi e pjekur, meqenëse shumë breza të veprimtarëve, mbarë populli ynë me gjenerata të panumërta, ka kontribuuar, është sakrifikuar që ne të jemi të lirë dhe të pavarur, të kemi shtet demokratik dhe sovran. Sot festojmë, por njëkohësisht edhe nderojmë rezistencën paqësore, kryengritjet e armatosura, të cilat kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gëzuar Pavarësia, dhe kremtofshin të gjithë bashkë për jetë e mot”, tha Kurti.
Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu tha se sot kujtohen dhe nderohen të gjithë ata që dhanë jetën për lirimin e Kosovës.
“Sot shënojmë 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Mbase një Republikë e re, por jo edhe aq e re për të kuptuar që liria kërkon angazhim të përditshëm. Sot, por edhe çdo ditë tjetër kujtojmë me nderim dhe respekt të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për Pavarësinë që sot ne e gëzojmë. Sot nderojmë po ashtu figurat e larta, që kontribuuan në rrethana dhe periudha të ndryshme për çlirimin, lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës”, tha Haxhiu.
