Kosovë Lajme

Begaj në 18-vjetorin e pavarësisë përmend ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Historia nuk mund të rishkruhet, sepse liria ka emër

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në seancën solemne për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, vendosi theks të veçantë te roli dhe sakrifica e ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët aktualisht po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Duke folur në emër të Republikës së Shqipërisë, Begaj tha se ata që udhëhoqën popullin drejt lirisë sot po përballen me akuza që, sipas tij, lëndojnë ndjenjën kombëtare të shqiptarëve.

“Ata luftuan për të drejtat e tyre, për tokën e tyre dhe për gjuhën e tyre. Janë memorie shtetërore e kombëtare”, u shpreh Begaj.

Presidenti theksoi se e vërteta dhe historia e luftës çlirimtare nuk mund të tjetërsohen.

“Në këtë përvjetor, mendimi ynë është me ata që po përballen me një betejë të vështirë, të padrejt e vendimtare në Hagë. Historia e Kosovës s’mund të kuptohet pa emrat e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit. Ata po përballen me akuza të montuara në gjykatë ndërkombëtare.Ata që morën armët për të kërkuar lirinë për tokën e tyre e familjen e tyre, janë e do të mbeten gjithmonë simbole të lirisë. E vërteta s’mund të tjetërsohet e as të ndryshohet. Liria ka emër, liria meriton drejtësi, meriton mirënjohje. Republika e Shqipërisë është me UÇK-në”, ka thënë Begaj.

Begaj shtoi se Shqipëria do të qëndrojë sot dhe përherë pranë Kosovës dhe pranë ish-komandantëve të UÇK-së, duke i konsideruar ata pjesë të pandashme të historisë së shtetndërtimit dhe sakrificës për liri.

Në fjalën e tij, ai e cilësoi Kosovën si një histori suksesi, të ndërtuar mbi qëndresë, sakrificë dhe përkushtim ndër breza

Begaj theksoi se kjo ditë është festë për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

Begaj u shpreh se çdo shqiptar, në Shqipëri dhe në diasporë, sot ndjehet pjesë e gëzimit dhe krenarisë për këtë përvjetor.

“Sot Kosova mbush 18 vjet. Në jetën e një njeriu kjo është mosha e pjekurisë. Kjo është dëshmia se Republika e Kosovës është një shtet i ri në vite, por me rrënjë të thella sakrifice dhe meritash”, deklaroi ai.

Presidenti Begaj përmendi breza të tërë që luftuan për identitetin kombëtar shqiptar, duke vlerësuar kontributin e figurave historike si Ibrahim Rugova dhe Adem Demaçi, sakrificën e Adem Jasharit, si dhe luftën çlirimtare.

“Ky popull ka treguar se është qëndrestar dhe i pathyeshëm”, theksoi Begaj, duke e cilësuar Kosovën si një histori suksesi.