Kosovë Lajme

18-vjetori i pavarësisë, Haxhiu: Lufta e UÇK-së ishte luftë për dinjitet dhe liri, kundërpërgjigje ndaj një okupimi të ashpër

Në seancën solemne për 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka theksuar se kjo u bë e mundur falë përpjekjeve dhe sakrificave të vazhdueshme të popullit shqiptar, shkruan Reporteri.net.

Ajo u shpreh me përkulje për ata që dhanë jetën dhe për ata që nuk u dorëzuan asnjëherë, duke kujtuar heroizmin e familjes së heroit Adem Jashari, urtësinë e Presidentit Rugova dhe qëndresën e Adem Demaçit.

Haxhiu falënderoi miqtë dhe aleatët ndërkombëtarë për mbështetjen në rrugën drejt pavarësisë dhe në ndërtimin e shtetit.

“Sot shënojmë 17 shkurtin Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Pavarësinë që u bë e mundur falë përpjekjeve dhe sakriciave të vazhdueshme të popullit shqiptar. Pavarësisë që u arrit përmes luftës për çlirim, gjakut të shumë heronjve që ranë dëshmorë që ne jemi këtu ku jemi sot. Përkulje për atyne që dhanë jetën për lirinë e vendit”.

“Përkulje para atyre që qëndruan dhe nuk u dorëzuan asnjëherë që ne sot të jetojmë të lirë. Në këtë ditë kujtojmë dhe ndihemi krenar për heroizmin e familjes së heroit Adem Jashari. Kujtojmë dhe urojmë urtësinë e Presidentit Rugova. Kujtojmë qëndresën e pathyeshme të Adem Demaçit. Falënderim i veçantë miqve dhe aleatëve ndërkombëtarë që na mbështetën në rrugën për pavarësi dhe vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës në ndërtimin e saj”, tha Haxhiu në Kuvend.

Sipas saj, në themelin e Republikës qëndron UÇK-ja dhe lufta e saj për çlirim, të cilën e cilësoi si luftë për dinjitet dhe liri në rrethana të okupimit të ashpër dhe dhunës sistematike ndaj popullit shqiptar.

Ajo theksoi se lufta nuk ishte agresion, por rezistencë ndaj okupimit, shtypjes, gjenocidit dhe spastrimit etnik, duke kundërshtuar çdo përpjekje për ta shkëputur atë nga konteksti historik dhe politik.

“Këtë ditë të rëndësishme e lartëson ajo që qëndron në themelin e Republikës sonë, UÇK-ja dhe lufta e saj e drejtë për çlirim. Lufta e Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte luftë për dinjitet dhe liri, ajo ishte kundërpërgjigje në rrethana të një okupimi të ashpër kur dhuna sistematike ndaj popullit shqiptar po merrte përmasa shkatërruese. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte ushtria mbrojtëse e nje populli që kërkonte të jetonte i lirë në vendin e vet. Çdo përpjekje për ta shkëputur këtë luftë nga konteksti i saj historik dhe politik rrezikon ta shtrembëroj të vërtetën e asaj kohe”

“Lufta jonë nuk ishte agresion por rezistencë ndaj okupimit dhe shtypjes, ndaj gjenocidit dhe spastrimit etnik, luftë për të mbrojtur pragun e shtëpisë”, tha Haxhiu.