Kosovë Lajme

18 vjet shtet, Kosova feston sot Ditën e Pavarësisë

Republika e Kosovës feston sot 18 vjetorin e pavarësisë.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë më 17 shkurt të vitit 2008 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në një mbledhje të jashtëzakonshme të vitit 2008 ku merrnin pjesë 107 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën Shtet të Pavarur, Sovran dhe Demokratik.

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u miratua në mënyrë unanime prej 107 deputetësh të pranishëm në sallën e Kuvendit të Prishtinës. Njëmbëdhjetë deputetë përfaqësues të pakicës serbe bojkotuan procedurën e votimit. Nëntë përfaqësues të pakicave tjera etnike ishin pjesë e kuorumit.

Kështu më 17 shkurt të vitit 2008 u kurorëzua ëndrra për pavarësi e një populli që kaloi nëpër vuajtje.

Kjo është Deklarata solemne e Pavarësisë që u lexua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në prani të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, dhe Presidentit të Kosovës:

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.”

Programi i manifestimeve nis që në mëngjes me ngritjen e Flamurit të Kosovës në oborrin e Qeverisë në orën 07:00, e më pas vazhdon me mbledhje solemne të Qeverisë dhe nderime te Monumenti i të Pagjeturve, Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë, si dhe homazhe te varri i ish-presidentit Dr. Ibrahim Rugova dhe i veprimtarit Adem Demaçi.

Në orën 09:00 është parashikuar vizita në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ndërsa në orën 10:30 nis seanca solemne e Kuvendit të Kosovës. Pasdite, programi përfshin nderime te Monumenti Heroinat dhe parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në rrugën Luan Haradinaj.

Në mbrëmje, nga ora 17:30, Presidentja e Kosovës, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri do të presin mysafirë shtetërorë në pritje solemne, ndërsa ora 20:00 shënon koncertin solemn të Filharmonisë së Kosovës në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.