Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot në lexim të parë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026, në vlerë rreth 4 miliardë euro.
Në njoftimin e lëshuar lidhur me seancën e mbajtur sot, Kuvendi ka bërë me dije se shqyrtimi i dytë i këtij projektligji do të bëhet të premten.
Seanca do të mbahet në orën 11:00.
“Me vendim të Kuvendit, leximi i dytë i buxhetit do të mbahet të premten, në orën 11:00”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Albin Kurti, teksa foli për këtë projektligj, tha se risi është paga e 13-të për punonjësit publik, e cila siç tha ai, sivjet nuk do të jetë në fund të vitit, por në pranverë.
“Buxheti përfshin rritjen e pensioneve, lehonave, shtesat e fëmijëve, asistencën sociale etj. Po ashtu, rritet edhe mbështetja për barna esenciale, bujqit dhe investime tjera”, tha Kurti.
Duke u përgjigjur në çështjet e ngritura nga deputetët, kryeministri tha se fillimisht duhet sjell programin qeveritar e pastaj rishikimin e buxhetit.
“Është e vërtetë që ka pasur rritje të çmimeve të produkteve bazë, por ato do të kenë tavan së shpejti. Kemi propozuar Ligjin për çmimet tavan për produktet bazë, i cili ka pasur një adresim në formë ankese nga opozita në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas është rrëzuar. Ne do ta risjellim Ligjin me çmime tavan për produkte bazë dhe në këtë mënyrë do ta frenojmë abuzimin me çmime”, tha mes tjerash kryeministri Kurti.
Ndryshe, Projektligji për ndarjet buxhetore për vitin 2026 ishte në rend dite në seancën e mbajtur të premten, mirëpo Lëvizja Vetëvendosje s’arriti të siguronte shmangien nga afatet për ta shqyrtuar atë në parim.
