Kosovë Lajme Politikë Shqipëri

Rama tregon “një sekret”: Osmani u kërcënua dy vjet nga Haga, s’i la prokurorët ta dhunonin edhe zyrën e Presidentit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është “kërcënuar” për dy vjet nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, pasi nuk lejoi që prokurorët të kërkonin edhe në zyrën e Presidentit në Prishtinë.

Rama tha se Osmani nuk lejoi prokurorët që “demek do të kërkonin edhe aty provat e krimeve kundër njerëzimit”. Foli edhe për përmasën e dëmit që do t’i shkaktonte vendit ajo.

“Tani, mund të jetë sekret shtetëror këtu në Kosovë, por nuk është sekret shtetëror edhe për mua që presidentja e Kosovës është kërcënuar. Dhe këtë gjë nuk e dini sepse nuk është thënë asnjëherë, por po e them sot. Është kërcënuar sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidnetit të Kosovës, se me demek do të kërkonin edhe aty provat e krimeve kundër njerëzimit, gjë që natyrisht do ta vendoste Kosovën në sytë e botës si një shtet ku deri në zyrën e Presidentit gjenden prova për krime kundër njerëzimit. Dhe kërcënimi i presidentes ka zgjatur dy vjet. Por, për nderin e saj dhe nderin e Kosovës, ajo e ka ndaluar një gjë të tillë”, tha Rama në ceremoninë e promovimit të librit “Kur heshtja flet” të ish-ambasadorit Ahmet Shala.

Rama kritik u tregua edhe ndaj Prokurorisë së Hagës që sipas tij po përpiqet të lidhë katër ish-krerët e UÇK-së me akuzat pa prova me gjenocidin që kreu ish-Jugosllavia.

Kryeminsitri shqiptar se katër ish krerët e UÇK-së ata u armatosën kundër një pushtimi shfarosës dhe nuk u armatosën për të imponuar.

“Sot të dënuar nga drejtësia ndërkombëtare janë Ratko Mladiç, që u dënua me burgim të përjetshëm si fytyra e makinerisë së shfarosjes dhe autori i damkosur i masakrës së Srebrenicës. Dikush që lidhte njerëz të gjallë dhe i hidhte në lumë duke kundruar me kënaqësi se si përpëliteshin. Sipas kërkesës së Prokurorisë së Hagës, këtyre të dënuarve do t’u shtohen edhe 4 të tjerë në anë tjetër të barrikadës, ndërkohë që prokuroria nuk pati kapacitetin të provonte asgjë të ngjashme për aktivitetin e 4 udhëheqësve të UÇK. Nuk ka shkelje aktiviteti i tyre dhe i UÇK-së me terrorin mbi popullsinë civile dhe spastrimin, me shënjestrimin e fëmijëve dhe të grave nga snajperët e vendosur aty me këtë qëllim apo përdhunime e varje. Ata u armatosën kundër një pushtimi shfarrosës dhe nuk u armatosën për të imponuar sundimin e tyre në një territor të huaj, por për të mbrojtur sundimin e tyre në tokën e tyre. Ata vetë me dorën e tyre e votuan në Parlamentin e Kosovës një gjykatë e cila në letër është një gjykatë e Kosovës, por nuk është gjykatë për të vendosur mbi të akuzuarit kosovarë. Gjithçka nisi nga një raport i Dick Marty dhe u shty përpara nga përfaqësuesit e Vladimir Putinit në Këshillin e Evropës”, deklaroi Rama.

Gjithë këtë Rama e quajti katastrofë për drejtësinë ndërkombëtare. Ai tha se gjykata Speciale është më politike sesa gjykata e Serbisë në raport me Kosovën.

“Kjo gjykatë është edhe më politike se sa gjykata e Serbisë në raport me Kosovën. Drejtësia ndërkombëtare, e financuar nga shtete demokratike, vazhdon për turpin e tyre ta ndjekë me diferencë më të madhe këtë katastrofë; faktikisht bën që ne sot të marrim një pikëpyetje për vetën tonë se çfarë mund të bëjmë dhe duhet të bëjmë. Nuk e kam përgjigjen për këtë, por jam i sigurt që duhet të bëjmë diçka më shumë për këtë, pasi është një katastrofë për vetë drejtësinë ndërkombëtare, për vetë Europën dhe demokracinë, të cilën Perëndimi merr përsipër të varrosë për së gjalli 4 njerëz të pafajshëm dhe lënduar Kosovën. Atëherë ky mbetet një problem shumë i madh. Kjo është pengmarrje për arsye politike, jo të Perëndimit, siç është thënë, por të atyre forcave që kanë dashur të barazojnë dy gjëra që nuk barazohen dot: dhunën etnike të një makinerie lufte dhe luftën çlirimtare të UÇK”, tha Rama.