Kosovë Lajme Politikë

Kurti takohet me shefin e BE’së në Kosovë, diskutohet rruga evropiane dhe Plani i Rritjes

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka konfirmuar takimin e sotëm mes kryeministrit Albin Kurti dhe shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

Ambasadori Orav e ka uruar Kurtin për rizgjedhjen e tij të tretë në postin e kryeministrit.

“Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, uroi sot kryeministrin Albin Kurti për rizgjedhjen e tij të tretë. Ata ranë dakord të rifillojnë punën për reformat për të çuar përpara rrugën evropiane të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Anën tjetër Kurti ka theksuar se BE-ja është “organizatë e paqes dhe sigurisë” dhe se është e nevojshme që Kosova të marrë “statusin e vendit kandidat dhe pyetësorin nga Komisioni Evropian”.

Ai falënderoi gjithashtu ambasadorin Orav për mbështetjen në miratimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, i cili ka vlerë prej 882.6 milionë eurosh: “Nga këto, afro 30 për qind janë grante, ndërkaq mbi 70 për qind janë kredi”, tha Kurti.

Kryeministri nënvizoi se Kosova do të mbetet “partner i besueshëm dhe serioz i Bashkimit Evropian” dhe se marrja e statusit të vendit kandidat do të përshpejtojë “agjendën e reformave, që padyshim do të jetë prioritet i qeverisë sonë”.