Kryeministri Albin Kurti, ka shkruar për takimet dhe bisedat që ka zhvilluar në Konferencën e 62-të të Sigurisë në Mynih (MSC): forumit më të rëndësishëm në kontinent në këtë fushë.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se siguria dhe mbrojtja, bashkëpunimi bilateral, progresi demokratik dhe zhvillimi ekonomik ishin në qendër të bisedimeve të tij me kryeministrin kroat, ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, ministrin e Jashtëm të Norvegjisë e senatorë amerikanë.
“Investimet në polici dhe ushtri do t’i rrisim dhe zgjerojmë bashkë me partnerët tanë demokratikë dhe perëndimorë, që ta forcojmë sigurinë, sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar”, ka shkruar Kurti.
Postimi i tij i plotë:
Takime të shumta bilaterale dhe biseda të frytshme në Konferencën e 62-të të Sigurisë në Mynih (MSC): forumit më të rëndësishëm në kontinent në këtë fushë.
Atje ishim bashkë me Zëvendëskryeministrin e Parë njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dhe Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Siguria dhe mbrojtja, bashkëpunimi bilateral, progresi demokratik dhe zhvillimi ekonomik ishin në qendër të bisedimeve me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Gordan Grlić-Radman; Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul dhe Sekretarin e Shtetit për Punë të Brendshme, Hans-George Engelke; Ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Espen Barth Eide; Senatorët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës Jeanne Shaheen, Chris Murphy, Thom Tillis dhe Ruben Gallego; deputetët e Bundestagut gjerman Jurgen Hardt, Adis Ahmetovic, Carl-Philipp Sassenrath dhe Deborah Düring; dhe Administratorin e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), ish-kryeministri i Belgjikës Alexander De Croo.
Treguam gjerësisht mbi të arriturat e shtetit tonë në 5-vjeçarin e kaluar dhe planet tona për këtë mandat të ri qeverisës. Investimet në polici dhe ushtri do t’i rrisim dhe zgjerojmë bashkë me partnerët tanë demokratikë dhe perëndimorë, që ta forcojmë sigurinë, sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar.
