Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti se po bllokon qëllimisht buxhetin e Kryeqytetit.
Në një postim në Facebook, Rama ka deklaruar se bllokimi i i buxhetit të Prishtinës, nuk është çështje teknike, por, sipas tij, vendim politik për ta dobësuar Prishtinën.
“Sot po flas jo vetëm si Kryetar i Prishtinës, por si përfaqësues i mbi 300 mijë qytetarëve që po penalizohen padrejtësisht. Qeveria e re e Kosovës po bllokon qëllimisht buxhetin e miratuar të Kryeqytetit. Ky nuk është vonim teknik. Nuk është keqkuptim administrativ. Është vendim politik për ta dobësuar Prishtinën”, ka shkruar Rama.
Ai ka theksuar se buxheti i Kryeqytetit është miratuar në përputhje me ligjin dhe se çdo ndërhyrje ndaj tij përbën shkelje institucionale.
“Buxheti i Kryeqytetit është votuar sipas ligjit. Është dokument zyrtar i Republikës së Kosovës. Çdo ndërhyrje për ta anashkaluar apo për ta sabotuar atë është shkelje e drejtpërdrejtë e rendit institucional”, ka theksuar ai.
Sipas Ramës, pasojat e bllokimit do të ndiheshin drejtpërdrejt nga qytetarët.
“Kur ndalet buxheti i Prishtinës, ndalet ndërtimi i shkollave, ndalet përmirësimi i infrastrukturës, ndalet investimi në çerdhe, ndalet zhvillimi ekonomik. Kjo nuk është luftë ndaj Kryetarit. Kjo është ndëshkim kolektiv ndaj qytetarëve.”
Kryetari i Prishtinës ka paralajmëruar se Komuna do të ndjekë rrugët ligjore nëse situata vazhdon.
“Nëse Qeveria vazhdon me këtë qasje, ne do të ndjekim çdo rrugë ligjore dhe institucionale për ta mbrojtur të drejtën tonë. Do ta bëjmë këtë publikisht, hapur dhe pa kompromis. Kjo nuk është çështje personale. Kjo është çështje dinjiteti institucional dhe respekti ndaj qytetarëve”, ka përfunduar Rama, duke shtuar se “Prishtina nuk do të heshtë. Prishtina nuk do të frikësohet. Dhe Prishtina nuk do të ndalet.”
