Kosovë Lajme

Opozita kritikon procedurën e ndjekur për buxhetin, kërkohet prezenca e Kurtit

PDK, LDK dhe AAK kanë kritikuar procedurën e ndjekur për Projektbuxhetin e vitit 2026, që pritet të hidhet në votim sot.

Kreu i PDK’së, Bedri Hamza, i kërkoi Qeverisë që ta tërheq Ligjin mbi Ndarjet Buxhetore dhe ta sjell pas tri ditësh, duke thënë se do ta votojnë.

Nga këto parti u vlerësua se nuk është serioze që deputetëve t’u jepen vetëm tri orë kohë për të rishikuar një dokument kaq të rëndësishëm dhe voluminoz si buxheti i shtetit.

“PDK nuk e mbështet këtë propozim”, deklaroi Arian Tahiri, Shef i Grupit Parlamentar të PDK’së.

Kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, e cilësoi mungesë serioziteti mospraninë e Kryeministrit Albin Kurti në këtë seancë, i cili ndodhet në Munich për Konferencën e Sigurisë.

Ai tha se nuk e përkrahin buxhetin meqë katër ministri as që kanë buxhet.

“A e dini që 4-5 ministri s’kanë buxhet për veti. Katër ministra s’kanë buxhet fare. Jepuni kohë 4-5 ditë deputetëve që ta lexojnë…Është shumë e rëndësishme me qenë edhe zoti i shtëpisë këtu, Kryeministri”, ka thënë Abdixhiku.

Nga AAK deklaruan se nuk ka urgjencë për buxhetin.

“Nuk ka asnjë urgjencë për shkak se dje i kemi aprovu zgjatjet buxhetore”, tha Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, premtoi rishikim muajin tjetër.