Policia e Kosovës ende nuk ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurori të Shtetit në lidhje me sulmin fizik të biznesmenit Valon Ademi ndaj ish-drejtorit të Investimeve kapitale dhe menaxhimit të kontratave në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli.
Këtë e ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Prishtinës, në një deklaratë të shkurtër për gazetën online Reporteri.net, tek pas disa insistimeve të mediumit për të marrë konfirmim nga Prokurori e Shtetit për rastin.
“Ju njoftojmë se sa i përket rastit në fjalë deri më tani Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka pranuar ende kallëzimin penal nga Policia e Kosovës”, thuhët në përgjigjen e Prokurorisë.
Rasti në fjalë kishte ndodhur para dy javësh, në një lokal në qendër të Prishtinë.
Për dallim prej Prokurorisë, nga Policia e Kosovës, pak ditë pas grushtit të pronarit të “2A Group SHPK” – një kompani e njohur në fushën e prokurimit publik dhe tenderëve të shtetit – ndaj ish-drejtorit komunal të Prishtinës, kishin deklaruar se kishin hapur rast për veprën penale “Lëndim i Lehtë Trupor”, dhe se veprimet pasuese po ndërmerreshin në koordinim me prokurorin e shtetit.
Emri i biznesmenit Valon Ademi është përmendur me të madhe muajve të fundit në Shqipëri për shkak se u lidh me disa investime të përfolura rreth Aeroportit të Vlorës, duke e vënë në qendër të një skandali të bujshëm atje.
Biznesmeni Ademi, deri në korrik të vitit 2019, kishte qenë Konsull i Nderit të Republikës së Shqipërisë në Gjilan, me vendim të Ministrisë së Jashtme në Tiranë. Privilegjet diplomatike atij ia kishte ndërprerë ish-ministri Gent Cakaj, në një kohë kur biznesmeni kosovar përflitej në Shqipëri për akuza të falsifikimit të dokumenteve për një tender milionësh në Bashkinë e Kavajës.
Nga ana tjetër, Sokol Havolli që aktualisht është asamblist i zgjedhur në Komunën e Prishtinës, më herët ka qenë edhe zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Kosovës dhe Drejtor i ndërmarrjes publike “Prishtina Parking”. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka qenë kandidat për deputet nga LDK, por që nuk ka arritur të sigurojë votat për një ulëse në Kuvend.
