Mbrojtja e ish-Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi po jep deklaratën përmbyllëse në gjykimin në Hagë.
Avokatja e tij, Venkatesëari Alagendra, tha se opsioni i vetëm është që Krasniqi të lirohet nga të gjitha akuzat.
Ajo i bëri thirrje gjykatësit që Krasniqi të shpallet i pafajshëm dhe që të kthehet në familjen e tij.
“Ne me respekt parashtrojmë që ekziston vetëm një opsion, që ju i nderuar gjykatës të merrni vendim pafajësie për të gjitha akuzat e ngritura ndaj Jakup Krasniqit. Në fund të parashtrimit do të ju bëjmë thirrje të nderuar gjykatës që mbështetur në provat në dispozicion, që të shpallni të pafajshëm z.Krasniqi dhe ta lejoni këtë zotëri 75-vjeçar që të kthehet në familjen e vetë dhe të kalojë vitet që ja ka caktuar zoti me familjen e vetë”, deklaroi avokatja.
Sipas Alagendra, gjatë gjithë gjykimit nuk ka pasur as edhe një dëshmitar që ka pretenduar se Krasniqi e ka rrahur, keqtrajtuar apo torturuar.
Ajo tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar po mbështetet “kryesisht në spekulime dhe pretendime të pambështetura”.
“Nuk ka qoftë edhe një dëshmitar të vetëm që pretendon se Jakup Krasniqi e ka rrahur, e ka keqtrajtuar apo e ka torturuar, qoftë ndonjë person civil apo person tjetër. Kjo Prokurori mbështetet kryesisht në spekulime dhe pretendime të pambështetura”, deklaroi avokatja.
