Botë Lajme

U përmend në dosjen Epstein, policia norvegjeze bastis pronat e ish-kryeministrit Jagland

Autoritetet norvegjeze kanë kontrolluar pronat e ish-kryeministrit Thorbjørn Jagland, pasi Këshilli i Europës i hoqi imunitetin, në kuadër të një hetimi për korrupsion dhe lidhjet e tij me financierin e turpëruar Jeffrey Epstein.

Hetimi nisi pas publikimit të dokumenteve nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve, të cilat sugjeronin se Jagland dhe familja e tij kishin qëndruar me Epstein mes viteve 2011–2018, periudhë kur ai kryesonte Komitetin Nobel dhe ishte sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Europës.

Siç shkruan Euronews, njësia speciale për krime ekonomike Okokrim ka kryer kontrolle në banesën dhe pronat rekreative të Jagland. Këtë e konfirmoi avokati i tij Anders Brosveet në një deklaratë.

Të mërkurën, Këshilli i Europës tha se kishte pranuar kërkesën e autoriteteve norvegjeze për të hequr imunitetin e Jagland nga proceset ligjore që ai gëzonte më parë.
Organizata europiane e të drejtave të njeriut me bazë në Strasburg tha se ky imunitet synon “të mbrojë ushtrimin e pavarur të funksioneve zyrtare” dhe se nuk është menduar për “përfitim personal.”

Jagland ishte një figurë kontroverse kur drejtonte Këshillin e Europës dhe shpesh akuzohej nga media norvegjeze dhe ndërkombëtare se ishte shumë i nënshtruar ndaj Vladimir Putinit dhe Kremlinit.

Pas pushtimit fillestar të Ukrainës dhe aneksimit të paligjshëm të Krimesë në 2014, Rusia u vendos nën sanksione votimi, por Jagland udhëhoqi përpjekjet në 2019 për t’i rikthyer Moskës të drejtat e votës.

Rusia u përjashtua përfundimisht nga organizata pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Anëtarët e Këshillit dhe analistët kritikuan Jagland për t’u dorëzuar ndaj “shantazhit” rus.

Lidhje të tjera me Epstein-in në Norvegji

Dokumentet e fundit të Epstein të publikuara në janar treguan gjithashtu se Princesha e Kurorës Mette-Marit, bashkëshortja 52-vjeçare e Princit të Kurorës Haakon, kishte përdorur një pronë të Epstein në Palm Beach për disa ditë në vitin 2013.

Në një shkëmbim emailesh mes Epstein dhe Mette-Marit në 2012, ai shkruante se ishte në Paris “në kërkim për grua,” por “preferoj skandinavet.” Ajo iu përgjigj se kryeqyteti francez ishte “i mirë për tradhti bashkëshortore,” por “skandinavet” ishin “material më i mirë për bashkëshorte.”

Mette-Marit kërkoi falje këtë muaj për “situatën ku e kam vendosur familjen mbretërore” dhe tha: “Disa nga përmbajtjet e mesazheve mes meje dhe Epstein nuk përfaqësojnë personin që dua të jem.”

Mona Juul, ish-ambasadore e Norvegjisë në Jordani, e përfshirë në përpjekjet për paqe izraelito-palestineze në vitet 1990, dha dorëheqjen fundjavën e kaluar pasi raportet thanë se Epstein kishte lënë 10 milionë dollarë për fëmijët e saj në një testament të hartuar pak para se të vdiste.

Ministri i Jashtëm Espen Barth Eide tha se një hetim i ministrisë mbi njohuritë dhe kontaktet e saj me Epstein vazhdon, ndërsa Juul do të vazhdojë të bashkëpunojë me autoritetet norvegjeze për të sqaruar situatën.