Kosovë Lajme

Kurti paralajmëron negociata për Presidentin pas anulimit të pjesëmarrjes së Osmanit në Konferencën e Mynihut

Afati për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit ka filluar të rrjedhë. Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, po synon edhe një mandat. Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar fillimin e negociatave me partitë për presidentin, disa minuta pasi Presidenca njoftoi se Osmani e ka anuluar pjesëmarrjen në Konferencën e Sigurisë në Munich. Kurti ndërkohë pritet të marrë pjesë.

Negociatat për çështjen e presidentit pritet të fillojnë së shpejti.

Një sinjal të tillë e ka dhënë kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e parë të Qeverisë së re, por si “parakusht” e paraqiti votimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

Kurti tha se është i gatshëm të nis bisedimet qysh nesër.

“Pas konstituimit të Kuvendit dhe qeverisë mbrëmë, jemi në hapin e tretë, votimi i buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Porsa të përfundohen këto jam i gatshëm që nga nesër të fillojmë kontaktet me subjektet tjera politike për çështjen e Presidentit”, tha Kurti.

Deklarata e Kurtit erdhi disa minuta pas njoftimit se Presidentja Vjosa Osmani ka anuluar pjesëmarrjen në Konferencën e Sigurisë në Munich. Në këtë konferencë do të marrë pjesë edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, deklaroi për Reporteri.net se pjesëmarrja është anuluar për shkak të angazhimeve institucionale dhe “prioriteteve” që lidhen me zhvillime brenda vendit.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është ftuar edhe sivjet në Konferencën e Sigurisë në Munich, për çka është shumë mirënjohëse ndaj organizatorëve. Megjithatë, për arsye të angazhimeve institucionale dhe prioriteteve që lidhen me zhvillime brenda vendit, e ka anuluar pjesëmarrjen”, ka deklaruar Kupina për Reporteri.net.

Vetë Kurti ndërkohë pritet të marrë pjesë në këtë konferencë, bashkë me Shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajetin.

Osmani e ka shprehur publikisht ambicien edhe për një mandat në krye të vendit, mirëpo është ende e paqartë nëse emri i saj do të propozohet nga Vetëvendosja, partia më e madhe në vend.

Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë.

Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61.

Të hënën, Osmani ka zhvilluar takime me kreun e LDK’së, Lumir Abdixhiku dhe atë të AAK’së, Ramush Haradinajn, ku ndër të tjera u tha se është biseduar për zhvillimet e fundit në vend.

Për diskutim specifik për çështjen e presidentit, nuk ka pasur ndonjë njoftim.

Nga LDK, deputeti Avdullah Hoti ka thënë qartë se nuk do ta votojë Osmanin për Presidente, në rast se propozohet nga VV.

Për propozime tjera nga kjo parti, s’ka dhënë përgjigje.

“Jo, sepse historiku i pesë viteve të fundit besoj që mu personlisht me ka dhënë të drejtë për qëndrimin që kam pas në 2021’ën. S’i kemi bë shërbimin më të mirë vendit. Tash i shoh kolegët e mi që e kanë qëndrimin që unë e kam për zonjën Osmani”, deklaroi Hoti./Reporteri.net