Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves ka uruar Qeverinë e re të Kosovës, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me Kryeministrin Albin Kurti.
Ai theksoi se një Kuvend dhe një Qeveri funksionale janë thelbësore për përparimin e Kosovës në çështjet që kanë rëndësi për qytetarët, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të mbështesë Kosovën në avancimin e reformave dhe forcimin e institucioneve demokratike në interes të të gjitha komuniteteve.
“I shpreh urimet e mia më të përzemërta Qeverisë së re të Kosovës. Pres me kënaqësi të bashkëpunoj ngushtë me Kryeministrin Albin Kurti dhe ekipin e tij të ri të ministrave në muajt në vijim. Një Kuvend dhe një Qeveri funksionale janë thelbësore që Kosova të bëjë përparim në çështjet që kanë më shumë rëndësi për qytetarët e saj. Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të mbështesë Kosovën teksa ajo çon përpara reformat, forcon institucionet demokratike dhe vepron në interes të të gjitha komuniteteve”, ka shkruar ambasdori britanik.
Hargreaves po ashtu theksoi rëndësinë e vazhdimit të angazhimit të Kosovës në Dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Ai e cilësoi këtë si një moment mundësish dhe rikonfirmoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet një partner i besueshëm për Kosovën në përpjekjet për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt dhe të suksesshme.
“Gjithashtu presim që Kosova të vazhdojë angazhimin e saj në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe në nxitjen e stabilitetit, prosperitetit dhe bashkëpunimit rajonal. Ky është një moment mundësish dhe Mbretëria e Bashkuar mbetet një partner i besueshëm, ndërsa Kosova punon për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe të suksesshme”, ka shkruar Hargreaves.
