Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancën konstituive të legjislaturës së dhjetë.
Fillimisht ishte përcaktuar që seanca të mbahet nga ora 12:00, por u shty për në orën 17:00, shkaku i seancës në Hagë, ku mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së do të jap deklaratën përfundimtare.
Pikë e parë e rendit të ditës do të jetë formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, për të vijuar me betimin e deputetëve. Pastaj do të procedohet me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe më pas të nënkryetarëve, shkruan Reporteri.net.
Siç u bë e ditur dje është arritur edhe dakordimi për votimin e nënkryetarëve në pako.
Seanca do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari (LVV), i ndihmuar nga deputetja më e re, Fatma Taçi (KDTP).
Si për kryetarin, ashtu edhe për nënkryetarët kërkohen 61 vota nga Kuvendi me 120 deputetë.
Në LVV kanë paralajmëruar se do ta respektojnë vendimin e Kushtetuese rreth zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
Nënkryetari i kësaj partie, njëherësh ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se pret që përveç konstituimit të Kuvendit, të mërkurën të formohet edhe Qeveria.
“Ne kurrë nuk i kemi refuzuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Deri tash vazhdimisht Lëvizja Vetëvendosje, ato natyrisht kanë qenë beteja politike, por kur i ka dhënë vulë Gjykata Kushtetuese siç ishte rasti për shembull në vitin 2014 kur tha që ju nuk mundeni me bë shumicën, shumicën duhet ta bëjë vetëm fituesi i zgjedhjeve, ne u tërhoqëm dhe vazhduam sipas opinionit të Gjykatës”, ka theksuar ai.
