Kosovë Lajme

Mishetiq: ZPS s’jep asnjë provë që Thaçi ka drejtuar dhe kontrolluar UÇK-në

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Lluka Mishetiq, ka deklaruar se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk ka arritur të provojë se Thaçi ka ushtruar rol drejtues në Drejtorinë Politike apo në atë të Informimit të UÇK-së para nëntorit 1998.

Sipas Mishetiqit, ekzistojnë prova që Thaçi ka pasur angazhime në marrëdhënie me publikun dhe median, por ai theksoi se Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë të besueshme që dëshmon se ai ka drejtuar ndonjë drejtori të caktuar në UÇK, apo se ka kontrolluar dhe mbikëqyrur deklaratat dhe publikimet.

“ZPS-ja nuk ka vërtetuar për dyshimet e arsyeshme se Thaçi ka qenë drejtues i Drejtorisë Politike apo Informimit para nëntorit 1998 kur u bë dhe kreu i Drejtorisë Politike. Ka prova që Thaçi ka qenë në marrëdhënie me publikun dhe me median, por ZPS nuk ja jep asnjë provë të besueshme që ai ka qenë Drejtuesi i ndonjë Drejtorie të caktuar në UÇK, qoftë politike apo informimit, dhe nuk ka asnjë provë që Thaçi të ketë kontrolluar apo mbikqyrur se çfarë thonin apo publikonin në UÇK”, tha Mishetiq.

Avokati shtoi se Prokuroria kishte pretenduar se Thaçi ka qenë Shef i Informimit, por sipas tij, për këtë pretendim nuk është paraqitur asnjë provë.