Shoqata Sindikale e ShFMU “Pavarësia”, së bashku me Këshillin Drejtues të Shkollës dhe Këshillin e Prindërve, kanë mbajtur një grevë në shenjë reagimi ndaj sjelljeve problematike të disa nxënësve gjatë procesit edukativo-arsimor.
Sipas tyre, në shkollë janë shënuar raste të dhunës fizike, fyerjeve, sharjeve dhe ofendimeve ndaj mësimdhënësve, ndërsa kanë paralajmëruar se në mungesë të veprimeve institucionale, situata mund të përshkallëzohet deri në ndërprerjen e procesit mësimor.
Përfaqësuesi i shoqatës sindikale të shkollës, Ardit Ukaj, tha se dhuna nuk ka vend në institucione arsimore dhe se greva nuk ka për qëllim justifikimin e asnjë akti të dhunshëm. Ai theksoi se reagimi është kundër dhunës që, sipas tij, po rrezikon sigurinë dhe dinjitetin e mësimdhënësve.
“Dua të theksojmë qartë se ne si shoqatë sindikale jemi kundër çdo lloj të dhunës, qoftë fizike apo verbale. Nuk ka vend në shkollë, dhe nuk mund të arsyetohet nga askush. Kjo grevë nuk organizohet për të justifikuar dhunën dhe as për të mbrojtur atë. Përkundrazi ajo është një reagim kundër dhunës që po cenojnë sigurinë dhe dinjitetin e mësimdhënësit në procesin edukativo-arsimor. Qëllimi ynë është të mbrojnë një ambient të sigurt dhe profesional ku mësimi zhvillohet normalisht dhe ku autoriteti i mësimdhënësit nuk vihet në pikëpyetje përmes fyerjeve, ofendimeve, sharjeve dhe nënçmimit. Kërkojmë qasje serioze dhe të koordinuar institucionale kundër këtij fenomeni sepse sistemi aktual ligjor dhe mekanizmat ekzistues disiplinor nuk po ofrojnë zgjidhje efektive në rastet kur nxënësi fyen apo sulmon mësimdhënësin fizikisht. Kjo situatë krijojnë ndjenjë pasigurie dhe mungesë mbrojtje për stafin arsimor. Ky nuk është problem i izoluar vetëm në shkollën tonë, por fenomen që po shqetëson dhe shkollat e tjera. Prandaj, kërkojmë masa konkrete, të qarta dhe të zbatueshme për mbrojtjen e mësimdhënësve dhe garantimit e rendit në institucione arsimore”, tha ai.
