Botë Lajme

Sekretari amerikan i Tregtisë e pranon se e kishte vizituar ishullin e Epsteinit

Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, ka pranuar se e kishte vizituar ishullin e Jeffrey Epsteinit, ish-financierit të dënuar për krime seksuale, raporton CNN, përcjell KFVAgency.com

Ai ka deklaruar se bashkë me familjen e tij kishin ngrënë drekë me Epstein në ishullin e financierit në vitin 2012, ndërsa këmbënguli se mes tyre nuk kishte pasur një marrëdhënie.

“Kam ngrënë drekë me të, pasi isha në një varkë gjatë një pushimi familjar. Gruaja ime ishte me mua, po ashtu edhe katër fëmijët e mi dhe dado,” ka deklaruar ai në Capitol Hill.

“Ne hëngrëm drekë në ishull, kjo është e vërtetë, për një orë, dhe u larguam të gjithë, fëmijët e mi me dadot dhe gruan time… Nuk e mbaj mend pse e bëmë”, ka shtuar ai.

Lutnick mohoi se ai dhe Epstein, të cilët u njohën kur jetonin në shtëpi fqinje në New York, kishin lidhje më të thella.

“Nga këto miliona e miliona dokumente, mund të ketë rreth 10 email-e që më lidhin me të… gjatë një periudhe 14-vjeçare,” u tha Lutnick senatorëve.

“Nuk kam pasur asnjë marrëdhënie me të. Kam pasur shumë pak të bëj me atë person”, ka deklaruar Lutnick.

Në një intervistë vitin e kaluar, Lutnick kishte deklaruar se pas një takimi në vitin 2005 në shtëpinë e Epstein, u ndje jo rehat dhe u betua se “nuk do të ishte kurrë më në të njëjtën dhomë me atë person të neveritshëm.”

Lutnick tha se kishte parë një tavolinë masazhi në mes të shtëpisë dhe se Epstein i kishte thënë se bënte masazh “çdo ditë”.

“Dhe pastaj ai, si të thuash, afrohet në mënyrë të çuditshme pranë meje dhe më thotë ‘dhe lloji i duhur i masazhit’”.

Lutnick shtoi se pas atij rasti, “nuk kam qenë kurrë më në të njëjtën dhomë me të, qoftë për çështje shoqërore, biznesi apo edhe filantropie. Nëse ai ishte aty, unë nuk shkoja, sepse është i shpifur.”

“Çështja këtu është se ai e ka mashtruar plotësisht publikun amerikan, të mbijetuarit dhe Kongresin,” tha senatori Chris Van Hollen, demokrat nga Marylandi, duke iu referuar pretendimit të mëparshëm të Lutnick se takimi i vitit 2005 e kishte bërë ta shihte Epstein si një “njeri të neveritshëm” dhe se “qartazi i la vendit përshtypjen se ai nuk kishte pasur më asnjë kontakt tjetër me Jeffrey Epstein.”