Kosovë Lajme Politikë

PDK kërkon shtyrjen e seancës konstituive për në orën 17:00, shkak seanca në Hagë

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se PDK-ja ka kërkuar që seanca e thirrur për nesër në orën 12:00, të shtyhet për në orën 17:00.

Kjo për shkak se nesër do të jetë fjala e mbrojtjes në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Për shkak të zhvillimeve politike, e veçanërisht zhvillimeve që ndërlidhen me procesin gjyqësor në Hagë, njëra ndër kërkesat që ende nuk është trajtuar është fakti që kemi kërkesë që të shtyhet seanca për në orën 17:00, sepse nesër do të jetë fjala e mbrojtjes, dhe duke u lidhur me zhvillime të rëndësishme të një procesi në Hagë, presim që të paktën të ketë mirëkuptim. Ende nuk është trajtuar si pikë”, tha Deliu-Kodra në Klan Kosova.

Seanca është thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani, për në orën 12:00.

Presidenca ka njoftuar se vendimi për këtë datë është marrë pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare dhe duke marrë parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00”, thuhet në njoftim të Presidencës.

Caktimi i seancës u bë një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.