Oda Ekonomike Shqiptare ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale në Hagë, e cila ka kërkuar dënim prej 45 vjetësh burg për secilin nga krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në total 180 vjet burgim.
Në reagimin e saj zyrtar, Oda Ekonomike Shqiptare shpreh shqetësim të thellë, duke e cilësuar këtë kërkesë si joproporcionale dhe në kundërshtim me parimet themelore të drejtësisë ndërkombëtare. Sipas OESh-së, një qasje e tillë rrezikon të barazojë një luftë çlirimtare me agresionin shtetëror të Serbisë, duke shtrembëruar realitetin historik.
“Oda Ekonomike Shqiptare thekson se UÇK-ja ishte përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj shtypjes dhe krimeve sistematike mbi popullin shqiptar dhe përbën themelin e lirisë së Kosovës”, thuhet në reagim.
Më tej, OESh vlerëson se goditja e figurave kryesore të luftës çlirimtare cenon besimin në drejtësinë ndërkombëtare dhe ndikon negativisht në stabilitetin politik dhe institucional të vendit.
Në fund, Oda Ekonomike Shqiptare bën thirrje për një proces gjyqësor të drejtë, të paanshëm dhe të bazuar në fakte, duke kërkuar respektim të së vërtetës historike dhe dinjitetit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
