Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Dobrës, L.Z. dhe personit juridik “L.P.” SH.P.K për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Rasti ka të bëjë me një aksion që vitin e kaluar ishte zhvilluar në Ministrinë e Bujqësisë, pasi u raportua se atë kohë Ministria që udhëhiqej nga Faton Pecit pagoi 66 mijë euro për largimin e mobilieve që nuk ekzistonin në objektin ku më parë e kishte pasur selinë AAK-ja, në Ulpianë.
Bedri Dobra, ishte menaxher i kontratës për largimin e këtyre mobilieve.
Sipas aktakuzës, B.D., në cilësinë e personit zyrtar, menaxherit të kontratës “Renovimi i objektit të MBPZHR-së në Prishtinë”, në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë periudhës 19.08.2024 – 31.12.2024, ka miratuar dhe vërtetuar në kundërshtim me ligjin realizmin e plotë të punimeve dhe pagesave për largimin e inventarit.
Ndërkohë, L.Z., si person përgjegjës i “L.P.” Sh.P.K., akuzohet se gjatë ekzekutimit të kontratës ka paraqitur fakte të rreme, duke deklaruar realizim të plotë të punimeve, ndonëse punët ishin kryer vetëm pjesërisht.
Si pasojë, sipas aktakuzës buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm financiar prej 36,000 euro.
Prokuroria Speciale, i ka propozuar Gjykatës që ndaj të pandehurve të shqiptohen edhe dënime plotësuese: ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, si dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës.
