Kosovë Lajme

Reuters: Prokurorët e krimeve të luftës kërkojnë 45 vjet burgim për ish-presidentin e Kosovës

Thaçi, kishte kontroll mbi forcat e armatosura shqiptare dhe duhet të shpallet fajtor për krime lufte, duke u dënuar me 45 vjet burgim, shkruan agjencia e lajmeve Reuters për gjykimin e ish-krerëve në Hagë ku sot nisi dhe faza përmbyllëse e tij.

Thaçi dhe tre ish-komandantë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) akuzohen për përndjekje, vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë të personave gjatë dhe menjëherë pas kryengritjes së viteve 1998–1999, e cila përfundimisht solli pavarësinë e rajonit me shumicë shqiptare nga Serbia.

“Të akuzuarit kryen krime ndaj kundërshtarëve të tyre të perceptuar për të marrë kontrollin mbi Kosovën,” deklaroi para gjykatës në Hagë prokurorja Kimberly West.

Ajo shtoi se gjatë viteve 1998 dhe 1999, më shumë se 100 kundërshtarë politikë dhe persona të konsideruar bashkëpunëtorë të forcave serbe të sigurisë u vranë, ndërsa qindra të tjerë u abuzuan në dhe rreth 50 qendrave të ndalimit të drejtuara nga UÇK-ja.

“Ky rast ka të bëjë me synimin e katër të akuzuarve për të fituar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën,” tha West, në përmbyllje të një gjykimi që ka zgjatur gati tre vjet në Gjykatën Speciale për krimet e luftës në Hagë.

Thaçi, 57 vjeç, i cili ka shërbyer si kryeministër, ministër i Punëve të Jashtme dhe president i Kosovës së pavarur nga viti 2008 deri në vitin 2020, së bashku me të bashkakuzuarit e tij, i mohon të gjitha akuzat.

Avokatët e Thaçit, që pritet të paraqesin deklaratat përmbyllëse të mërkurën, kanë argumentuar më herët se ai nuk kishte autoritet real mbi UÇK-në dhe komandantët e saj ushtarakë gjatë kryengritjes dhe periudhës pas saj, duke qenë i detyruar t’u nënshtrohej komandantëve lokalë të zonave.

Megjithatë, West tha të hënën se prokuroria ka prova dërrmuese që tregojnë se katër të akuzuarit ishin anëtarë kyç të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe se ishin ata që jepnin urdhra për komandantët e zonave, e jo anasjelltas.

Sipas prokurorëve, UÇK-ja synoi kundërshtarë politikë, serbë dhe romë

Prokurorët thonë se Thaçi dhe udhëheqës të tjerë të UÇK-së zhvilluan një fushatë të dhunshme kundër kundërshtarëve politikë, si dhe ndaj pakicave etnike serbe dhe rome, me qëllim marrjen e kontrollit të plotë mbi Kosovën. Sipas aktakuzës së Prokurorisë, thuhet shumica e viktimave të përndjekjes ishin pjesëtarë të shumicës shqiptare etnike të Kosovës, që përbën rreth 90 për qind të popullsisë.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të përbëra nga gjyqtarë dhe juristë ndërkombëtarë, u krijuan në vitin 2015 për të trajtuar rastet e krimeve të luftës sipas ligjit të Kosovës ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Thaçi dhe katër të pandehur të tjerë përballen gjithashtu me një gjykim të veçantë për pengim të drejtësisë, i cili pritet të nisë më 27 shkurt.