Kosovë Lajme Politikë

Osmani: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, kjo e vërtetë s’ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë në Hagë që Thaçi, Veseli, Kransiqi dhe Selimi të dënohen me nga 45 vjet burgim, duke theksuar se pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit dhe rezultat i sakrificës shekullore, ku dhanë jetën mijëra dëshmorë dhe civilë të pafajshëm.

Osmani kujton se gjatë luftës së fundit Serbia kreu gjenocid dhe krime të rënda kundër shqiptarëve, përfshirë vrasje, dhunime dhe dëbime masive.

“Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës. Ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj”, shkruan Osmani.

Presidentja thekson se çdo tentativë për të barazuar luftën e UÇK-së me krimet serbe minon besimin në drejtësi dhe rrezikon paqen afatgjatë.

Ajo përsërit se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër, dhe kërkon drejtësi për popullin e Kosovës, duke refuzuar rishkrimin e historisë.

“Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme.

“Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë.
Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri”, shkruan Presidentja.