Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, 43 ditë pas mbajtjes së tyre.
Certifikimi u bë me 11 vota për.
VV ka fituar 51.10 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK ka marrë 20.19 për qind të votave, apo 22 ulëse, LDK 13.24 për qind, apo 15 ulëse, ndërsa AAK 5.50 për qind, apo gjashtë ulëse.
Pro certfikimit votoi edhe VV’ja, teksa deklaruan se kanë rezerva për Listën Serbe.
“Me gjithë rezervat që i kemi pasur për Listën Serbe, i kemi dhe do të vazhdojmë t’i kemi”, deklaroi anëtari i VV’së në KQZ, Sami Kurteshi, pasi votoi për certifikimin e rezultatit zgjedhor.
Certifikimi i zgjedhjeve u vonua pasi KQZ mori vendim për rinumërim total të votave, pas dyshimeve për manipulim.
Qindra komisionerë u arrestuan nën dyshimin për manipulimin e votave. Shtatë Prokuroritë Themelore të Kosovës kanë autorizuar Policinë për hetimin e tyre.
Hapi i radhës tash është thirrja e seancës konstituive.
Seanca duhet të mbahet brenda 30 ditësh dhe duhet të thirret nga Presidentja Vjosa Osmani, por në rast se ajo nuk e thërret seancën, Kuvendi mblidhet vetë në ditën e 30’të.
Përgatitja për seancën konstituive është përgjegjësi e kryetarit të legjislaturës paraprake, në këtë rast Dimal Bashës.
Ai duhet të zhvillojë një takim të përbashkët me krerët e subjekteve politike parlamentare, jo më vonë se pesë ditë para seancës, për të përgatitur rendin e ditës dhe për të caktuar vendet e deputetëve në Kuvendin e ri.
Rregullorja përcakton se seanca konstituive ka katër pika të rendit të ditës: formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe atë të nënkryetarëve.
