Kosovë Lajme

Kërkesa e kryeprokurores për 45 vite burgim për secilin nga ish-krerët e UÇK’së, reagon Shqipe Selimi

Deputetja në Kuvendin e Kosovës, Shqipe Selimi-Mehmeti, njëherësh edhe bashkëshortja e Rexhep Selimit, ka reaguar pas kërkesës së kryeprokurores së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West, dënim unik me nga 45 vite për ish-krerët e UÇK’së.

Selimi-Mehmeti, me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se historia nuk shkruhet, teksa ka kërkuar liri për ish-krerët e UÇK’së.

“E shenjta UÇK! E shenjtë është liria për të cilën luftuam e u derdh gjak. Historia jonë nuk rishkruhet. Drejtësi për çlirimtarët”, ka deklaruar ajo.

West theksoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk po kërkon përgjegjësi për Shtabin e Përgjithshëm në tërësi, por për persona konkretë, bazuar në veprimet dhe kontributet individuale të secilit prej të akuzuarve.

“ZPS-ja kërkon vendim dënues për persona konkretë, jo për shtabin e përgjithshëm, por për persona konkretë. ZPS-ja kërkon dënim për të gjitha pikat e aktakuzës, prej 45 vitesh, mbështetur në kontributet individuale të kryera nga secili prej personave”, deklaroi West.

Ajo shtoi se veprat për të cilat akuzohen ish-krerët e UÇK-së përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke theksuar se bëhet fjalë për krime të rënda në natyrë.