Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka thënë se kërkesa e Prokurorisë për dënim me burgim prej 45-vjetësh për ish-krerët e UÇK’së, është e padrejtë dhe përbën fyerje të rëndë ndaj luftëtarëve të lirisëm.
Në reagim thuhet se kjo kërkesë është thjeshtë politike.
“Një qasje e tillë është fyese për viktimat e pafajshme, sulm ndaj heronjve që dhanë jetën për liri dhe përpjekje e hapur për njollosjen dhe degradimin e luftëtarëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës çlirimtare.
Kjo kërkesë është thjesht politike, me synimin e rrezikshëm për të barazuar luftën çlirimtare të UÇK-së me regjimin kriminal të Sllobodan Millosheviqit, një barazim i papranueshëm historikisht, moralisht dhe juridikisht”, theksohet në reagim.
Tërnava ka deklaruar se pret lirimin e ish-krerëve të UÇK’së.
“Ne presim dhe besojmë se në fund do të triumfojë e drejta dhe se vendimi i panelit gjykues do të jetë i drejtë, i paanshëm dhe meritor, duke sjellë liri për çlirimtarët dhe duke ruajtur dinjitetin e luftës për liri”, ka deklaruar Tërnava.
