Deputeti për kandidat në zgjedhjet e fundit parlamentare nga radhë e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, duke thënë se e vërteta nuk gjykohet, ajo mbrohet.
Haxhiu, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka reaguar lidhur me nisjen e etapës përmbyllëse të procesit më të madh gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Sot fillon beteja vendimtare për të vërtetën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në Hagë po tentohet të rishkruhet historia përmes shpifjeve dhe dokumenteve të fabrikuara në Beograd, me synim që agresori të paraqitet si viktimë, e çlirimtarët si fajtorë”, shkroi ai.
Haxhiu ka theksuar se kjo nuk është thjesht një betejë ligjore, por një përballje për drejtësi, për të vërtetën e luftës për liri dhe për vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës. Sipas ish-deputetit, kjo e vërtetë nuk duhet dhe nuk guxon të shtrembërohet nga propaganda dhe akuzat e rreme të Serbisë, përmes asaj që ai e quan “dora e zgjatur e prokurorisë në Hagë”.
