Kosovë Lajme

IKShPK del me njoftim: Uji i Badocit tani mund të përdoret për pije

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se tani uji nga Liqeni i Badocit mund të përdoret për pije.

Sipas njoftimit, nga analizat e tri ditëve të fundit, vlerat tregojnë se gjithë parametrat janë brenda kritereve të përcaktuara.

“Bazuar në këto rezultate laboratorike dhe në përputhje me UA 10/2021, uji në zonën e furnizimit PR03 nga Liqeni i Badocit është i sigurt për pije”, thuhet në njoftim.

Komunikatë për shtyp:

Prishtinë, 09.02.2026

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) njofton publikun se nga monitorimet e fundit të cilësisë së ujit të pijshëm në zonën e furnizimit PR03 nga Ujësjellësi i Badocit është vërejtur ulje e dukshme e vlerave të turbullirës.

Analizat laboratorike të realizuara gjatë tri ditëve të fundit në Laboratorin e IKShPK-së, tregojnë se vlerat e turbullirës dhe gjithë parametrat tjerë (bakteriologjikë dhe fiziko-kimik) janë brenda kritereve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ (UA) nr. 10/2021 – “Cilësia e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”.

Bazuar në këto rezultate laboratorike dhe në përputhje me UA 10/2021, uji në zonën e furnizimit PR03 nga Liqeni i Badocit është i sigurt për pije.
IKShPK, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të vazhdojë monitorimin e rregullt dhe të vazhdueshëm të cilësisë së ujit, duke garantuar transparencë dhe informim të saktë për qytetarët.