Kosovë Lajme Politikë

Abdixhiku i reagon Mustafës: Zi e terr për gjithçka në LDK, lëvdata për secilin kundërshtar të saj

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj qëndrimeve të ish-kryetarit Isa Mustafa lidhur me Kuvendin e partisë dhe rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku tha se LDK ka imituar Albin Kurtin, shkruan KFVAgency.com

Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka shkruar se ka një mosdurim të thellë ndaj vendimit të lirë të anëtarësisë, dhe një mllef për ta sulmuar atë si krytar, LDK-në e familjen Rugova.

“Zi e terr për gjithçka në LDK, lëvdata për secilin kundërshtar të saj”

“Kuvendi i LDK-së nuk ishte thjesht një ngjarje demokratike, por siç pohon një shkëputje e qartë mes një kohe që kërkonte kontroll pa parim dhe një kohe që kërkon rimëkëmbje dhe përgjegjësi”.

“Vendimi i lirë dhe i drejtë i anëtarësisë është gjithmonë i rëndë për ata që janë mësuar ta injorojnë e mbysin atë.”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku.

Postimi i tij:

Në vend të injorimit dhe reagimit.

Siç edhe e shihni, ka një mosdurim të thellë ndaj vendimit të lirë të anëtarësisë. Një mllef dhe një zell për të më sulmuar mua, LDK-në, familjen Rugova, veprimtarët e shumicës, punën e profesionistëve, të rinjve e të vjetërve pa dallim; secilin! Zi e terr për gjithçka në LDK, lëvdata për secilin kundërshtar të saj.

Kjo ndodh gjithmonë kur prapaskena mbetet pa rol, kur skemat e errëta nuk gjejnë më derë, dhe kur anëtarësia, me një qetësi që nuk shet shpirtin, e mbyll kapitullin.

Vendimi i lirë dhe i drejtë i anëtarësisë është gjithmonë i rëndë për ata që janë mësuar ta injorojnë e mbysin atë. Që, në vend të maturisë, ndihmesës dhe këshillëdhënies në kohë të vështira zgjedhin të përbaltin dhe të hapin kriza me çdo kusht. Papjekuri! Shpesh e pyes veten se si do të dukej kjo shtëpi politike sot, sikur e gjithë kjo përvojë do të ishte pranë nesh, e jo përballë.
Do ta kuptojmë një ditë, nëse veç se kemi kuptuar, se Kuvendi i ynë nuk ishte thjesht një ngjarje demokratike. Ishte një shkëputje e qartë mes një kohe që kërkonte kontroll pa parim dhe një kohe që kërkon rimëkëmbje dhe përgjegjësi. Prej asaj dite, kjo shtëpi e madhe e jona ecën përpara me njerëzit e saj, me besimin e vet dhe me dinjitetin e zgjedhjes së lirë – dhe, ju pëlqeu a s’ju pëlqeu disave, s’ka më asgjë që e ndal këtë mbarësi.

Rrugët që kthehen mbrapa nuk janë më tonat. Të gjithë do të pensionohemi një ditë; por jo nga dinjiteti, dhe jo nga njerëzorja. Ato duhet t’i ruajmë. Sepse fundi i rolit nuk është fundi i botës; është thjesht pranim i kohës që ka ecur përpara.

LDK-në do ta bashkojmë. Fort madje.

Por jo kështu. Jo me këtë logjikë. Jo me ata që nuk e pranojnë se çdo kohë ka një fund. Jo me ata që besojnë se vullneti i anëtarësisë mund të riformësohet e tjetërsohet në prapaskenat e darkave përplot intriga. E aq më pak me ata që kanë refuzuar, vazhdimisht, ta dëgjojnë këtë anëtarësi.

Kaq, për sot e përherë.

Kemi punë më të mençura.